Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës.
Maqedonci në një postim në “X”, ka shkruar se ky është në hap i madh për sigurinë.
“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi sot ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.
Ndërkaq një postim në Facebook, Maqedonci ka shtuar se në 25 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s po shënojmë një kapitull të ri me lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asociuar.
“24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacënueshëm e për Ballkan stabil”, ka shkruar ministri.
Ministri është shprehur se intervenimi i NATO-s i 24 marsit të vitit 1999 nuk kishte si të mos ndodhte pasi ishte e vetmja formë që do të mund t’i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë.
More Stories
Viktima në Istog është vëllai i Ilir Feratit, kryetarit të Istogut